GFI Albania
Problemi
Video
Karburantet përbëjnë produktet më të rëndësishme që i nënshtrohen taksës së akcizës në Shqipëri dhe janë rrjedhimisht një burim shumë i rëndësishëm i të ardhurave fiskale për qeverinë. Megjithatë, nisur nga specifikat e karburanteve, kontrolli fiskal është më i vështirë për tu ushtruar nga ana e organeve shtetërore përkatëse. Në dallim nga shumë produkte të tjera të akcizës, karburantet nuk mund të certifikohen me anë të pullave fiskale të posaçme që vërtetojnë pagesën e akcizës dhe taksave të tjera, të cilët janë të kontrollueshëm në çdo moment nga inspektorët e tatimeve/doganave.
Shqipëria është një vend me një industri komplekse të karburanteve. Nga njëra anë, Shqipëria ka fushën më të madhe naftëmbajtëse kontinentale në Europë. Nga ana tjetër, përsa i përket karburanteve të rafinuara për konsum, në treg operojnë rafineritë vendase si dhe subjektet që kryejnë importin e karburanteve për tregun lokal si dhe për rieksportim, kryesisht drejt Kosovës. Rrjedhimisht, Shqipëria mbetet një vend vulnerabël përsa i përket rreziqeve të përzierjes, kontrabandës së karburanteve, cilësisë së dobët etj. Këto probleme shkaktojnë humbje kolosale fiskale për qeverinë çdo vit.
Kontrabanda
Kontrabanda është një nga metodat më të përhapura për evazionin fiskal të hidrokarbureve. Në shumë vende të botës, autoritetet kombëtare të mbledhjes së taksave nuk e mbledhin dot atë dhe konsumatorët mbajnë barrën duke paguar më shumë taksa nga xhepat e tyre për të kompensuar humbjen në mbledhjen e taksave. Kontrabanda është e përhapur në vendet ku:
- Kalon një sasi e madhe karburanti, kryesisht e destinuar për eksport;
- Ekziston një mospërputhje e madhe e çmimeve të karburantit me vendet fqinje;
- Ekzistojnë subvencione apo taksa jo të njëjta për të njëjtat produkte; dhe
- Ka një kontroll vulnerabël në zinxhirin e shpërndarjes.
Përzierja
Përzierja është një praktikë ku produktet me çmim më të ulët përzihen me karburantet më të shtrenjta. Produktet e përziera kanë ndikime të shumta negative ndaj automjeteve, ambientit, shëndetit publik dhe mjeteve të shpërndarjes së karburanteve. Përzierja është e përhapur në vendet ku ka naftë bruto dhe nënprodukte të saj, parafinë apo karburant avionësh të cilat përzihen shpesh me naftë dhe shiten me një çmim më të lartë. Një gjë e tillë ndodh në zona ku çmimet e produkteve të tilla dallojnë nga njëra tjetra dhe ku ka dallime mes taksave dhe subvencioneve për produktet e karburantit dhe solventëve. Shqipëria është një vend ku problemet e shkaktuara nga përzierjet janë të dukshme, duke reduktuar të ardhurat buxhetore dhe duke shkaktuar shumë dëme për konsumatorët dhe mjedisin.