GFI Albania

Deklaratë për Shtyp : 15 Dhjetor 2015

Home / Deklaratë për Shtyp : 15 Dhjetor 2015

Deklaratë për Shtyp

15 Dhjetor 2015

Dëshirojmë t’i bëjmë me dije opinionit publik se GFI Albania, një shoqëri e specializuar në markimin dhe monitorimin e hidrokarbureve, ndërpreu punën në Shqipëri më 10 Dhjetor 2015 si pasojë e mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuale nga ana e Autoritetit Kontraktues (Ministria e Financave). Kushtet e marrëveshjes konçesionare të GFI Albania me Autoritetin Kontraktues parashikonin markimin dhe monitorimin e karburanteve si dhe të naftës bruto, por Autoriteti nuk respektoi detyrimin ligjor dhe kontraktual të markimit të naftës bruto. Për rrjedhojë, GFI Albania ka punuar që nga viti 2013 vetëm me 30% të kapacitetit të planifikuar. Megjithë humbjet financiare të akumuluara gjatë këtyre dy viteve, ne jemi krenarë për kontributin tonë në luftën kundër evazionit fiskal:

• Sepse përmes punës së GFI Albania, buxheti i shtetit gjatë vitit të fundit i ka rritur të ardhurat me 60 milion USD shtesë, në një kohë që shumë tregues të tjerë fiskalë kanë pësuar rënie;

• Sepse kemi zbuluar dhe i kemi raportuar me prova Autoritetit Kontraktues që disa qindra pika karburanti në vend furnizonin qytetarët me karburante kontrabandë apo të përziera, duke shkaktuar kështu jo vetëm humbje fiskale por edhe dëme për ambientin, mjetet motorike dhe shëndetin publik;

• Sepse i kemi vënë në duar Autoritetit Kontraktues një instrument të teknologjisë së lartë, që duhet të përdoret për të luftuar evazionin fiskal edhe në sektorin e naftës bruto që vlerësohet të jetë në nivelin e 70 milion dollarëve në vit!

Sqarojmë gjithashtu opinionin publik se, përkundër aludimeve të shprehura në media gjatë këtyre ditëve, ndërprerja e shërbimeve nuk ishte aspak e beftë. Përkundrazi, njoftimet përkatëse zyrtare janë bërë prej shumë muajsh dhe në mënyrë të vazhdueshme. Këto njoftime i janë dërguar vetëm Autoritetit Kontraktues meqënëse ne kemi detyrime strikte përsa i përket konfidencialitetit. Megjithëse përgjigjja zyrtare për negociata erdhi shumë vonë dhe vetëm pas ndërprerjes së shërbimeve, përsëri GFI Albania në mirëbesim i rifilloi në kohë rekord operacionet e markimit në terren.

Teknologjia jonë na jep mundësinë që të gjurmojmë me saktësi të lartë përzierjet e paligjshme në karburante si dhe në të gjithë spektrin e hidrokarbureve, duke përfshirë naftën bruto. Ky është një fakt i mirënjohur nga Autoriteti Kontraktues dhe i provuar teknikisht në laborator edhe gjatë procedurave të tenderit, kërkesë kjo që ka qenë ndoshta unike në konkurrimet e tenderave në Shqipëri.

Me bindjen se markimi dhe monitorimi i naftës bruto, përveçse detyrim ligjor është edhe instrumenti i duhur për të luftuar evazionin në këtë industri, mbetemi me shpresë se Qeveria e Shqipërisë do të vazhdojë programin e saj të luftës kundër evazionit dhe informalitetit dhe do të vërë në efiçencë sistemet dhe teknologjitë që i shërbejnë këtij qëllimi.

GFI Albania
[email protected]
www.gfi-albania.com